Fundori Dardan Berisha ishte në stol në ndeshjet e së hënës dhe së martës që CEZ Nymburku i fitoi ndaj Kolinit, në çerekfinale të kampionatit të Çekisë në basketboll, shkruan sot Koha Ditore.
Në ndeshjen e radhës ndaj Kolinit, që CEZ-i e luan të premten, Berisha pritet të aktivizohet disa minuta. Ai po rikthehet nga lëndimi i këmbës që e mbajti jashtë parketit për më shumë se një muaj e gjysmë. Kapiteni i Kosovës ka luajtur së fundi më 23 shkurt kur udhëhoqi Kosovën në humbjen 90:62 nga Polonia, në eliminatore për botëror.
Ai i mungoi Kosovës në ndeshjen ndaj Lituanisë, të luajtur tri ditë më vonë, ndërsa skuadrës së tij i mungoi në dy ndeshjet vendimtare në Ligën e Kampionëve. Para se të lëndohej, Berisha fitoi Kupën e Çekisë me CEZ Nymburk, skuadër që llogaritet favorite absolute edhe për titullin e Çekisë.
Me Berishën në përbërje, CEZ-i kishte rrugëtim të mirë edhe në Champions, rrugëtim që u ndal në një të tetën e finales nga skuadra greke AEK.