Ka pasur një tjetër edicion të suksesshëm në Australi, por megjithatë nuk ia ka dalë të shpallet golashënuesi më i mirë. Ky fakt nuk e zmbraps Besart Berishën para ndeshjeve vendimtare të edicionit. Ai ka premtuar momente të tjera të veçanta në serinë finale të A-Leagues së Australisë.
Sulmuesi veteran Berisha (35) ka shënuar 19 gola në edicionin e rregullt për skuadrën Wester United, që për herë të parë garon në A-League. Ishte realizatori i tretë më i mirë në ligë, pas Jamie Maclaren (22) dhe Adam le Fondre (20).
Legjenda e A-Leagues së Australisë, Berisha, në të kaluarën shpesh ka shfaqur më të mirën në serinë finale. Kështu të paktën ka shkruar të enjten sajti zyrtar i A-Leagues. Ai ka katër tituj të kampionit me skuadrat si Brisbane Roar e Melbourne Victory.
Westerni, që përfundoi në vend të pestë, në hapje të serisë finale luan me Brisbane Roarin. Kjo ndeshje luhet të shtunën. Seria finale është plejofi që organizohet për të përcaktuar kampionin e Australisë në futboll.
“I dua finalet. Jam shumë i entuziazmuar. Kur dëgjoj për finalet, zemra më rrah më fortë”, ka thënë Berisha. “Unë dua të luaj në secilën ndeshje dhe po shikoj para për finalet”.
Berisha kaloi te Western United pas një periudhe të dështuar në Japoni. Udhëhoqi këtë skuadër drejt kampanjës imresive.
“Çfarë tregimi ishte. Mendoj se kemi pasur një stinor të jashtëzakonshëm. Është meritë e stafit, klubit, lojtarëve. Drejtuesit janë munduar aq shumë për të qenë klub profesional dhe si lojtar jam shumë krenar që jam pjesë e këtij suksesi”.
Berisha ka vlerësuar lart edhe sulmuesin e Melboune City, Jamie Maclaren, që fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë. Në ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt, të mërkurën, Maclaren realizoi dy gola dhe i siguroi fitoren 3:1 Melbourne Cityt ndaj Western Unitedit. Berisha shënoi golin e vetëm për Westernin. Ai u aktivizua vetëm në minutën e 65-të. Nxori penallti dhe e konkretizoi atë.
Berishën e ka vlerësuar edhe golashënuesi më i mirë.
“Besi dhe Le Fondre janë golashënues fantastikë. Janë djemtë në të cilët shikoi për suksese të reja”, ka theksuar Maclaren.