Mbrojtja e të dyshuarve në Rastin “Toka” po ankohet për mosfillimin e gjykimit të të dyshuarve në këtë rast. Këtë neglizhencë e shohin edhe si përpjekje të EULEX-it për të vazhduar mandatin në Kosovë.
Mos fillimin e gjykimit të ish komandantit të UÇK-së, Azem Syla dhe të akuzuarve tjerë mbrojtja po sheh si përpjekje të misionit të EULEX-it për zgjatje të mandatit të tyre.
“Në rastin konkrete si një rast që ata e konsiderojnë e si rast kompleks me një numër të madh të pandehurve gjykoj se është një arsye më shumë se kaq, është faza kur EULEX-i duhet të përgatitet për vazhdimin e misionit të vet edhe më vonë një rast i tillë sigurisht do t’i shërbente edhe gjyqtarit ose vetë misionit për të vazhduar jetën edhe më tutje në Kosovë”, tha avokati Besnik Berisha, për RTK.
Avokati mbrojtës i Azem Sylës, përveç neglizhencës së EULEX-it thotë se në rastin e klientit të tij ka një neglizhencë edhe nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.
“Është po ashtu edhe një neglizhencë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës sepse në rastin kur aprovohet një kërkesë e misioni EULEX për të marr një çështje në kompetencë, atëherë do të duhej ta trajtonin dhe ta monitoronin, progresin e asaj lënde, gjyqtarët vendor punojnë lëndë shumë më shpejt, posaçërisht te Gjykata e Apelit, me rastin tonë për një muaj e gjysmë do të kishin një përgjigje për aneksën e parashtruar, ndërsa në rastin konkret nga maji i viti të kaluar nuk kemi përgjigje”, tha ai.
Në fund avokati Berisha thotë se edhe ai por edhe klienti i tij kanë përshtypje se do t`i nënshtrohen një procesi me prova jokredibile me dëshmitarë që kanë lloj-lloj motive, por jo për ta thënë të vërtetën.
Vitin e kaluar prokuroria Speciale kishte ngritur dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, në rastin e njohur tashmë me emrin ‘Toka’.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.