Berisha: Rama mbron Vuçiqin

Prishtinë | 20 Jan 2023 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka thënë se kryeministri Edi Rama, në fjalimin e tij në Davos të Zvicrës në Forumin Ekonomik Botëror, e ka mbrojtur presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Të premten në konferencën e përjavshme me gazetarë, fjalimin e Ramës, Berisha e ka quajtur skandaloz.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe, mbrojtjen që Edi Rama i bëri Putinit të vogël në Davos. Parlamenti Evropian, opinioni publik perëndimor është i revoltuar me qëndrimet e padronit të Edi Ramës ndaj sanksioneve ruse. Natyrisht, dy pyetje e shoqëruan padronin e Ramës në çdo panel dhe sallë në Davos: A është Putini një kriminel lufte dhe pse Serbia nuk respekton sanksionet e vendosura nga BE? Vuçiqi faktoi se është një Putin i vogël. Pavarësisht nga barbaritë që ka kryer në Ukrainë, ai refuzoi të pranojë se Putini ka kryer krime lufte dhe është kriminel. Sikundër justifikoi veten për sanksionet. Por më e turpshme është avokatia që i bëri Edi Rama padronit të tij”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se Rama po i bën avokatin edhe Putinit duke vënë në pikëpyetje mënyrën e furnizimit me gaz nga shtetet Evropës.

“Ka shumë kritika ndaj Angela Merkel dhe politikanëve të verbër që morën gazin rus dhe po e zëvendësojnë tani. Mënyra si e kuptoj unë botën është që nuk po e zëvendësojnë burimin e pisët rus me disa burime të pastra nga demokraci vibruese. Është edhe tregu pjesë. Janë shumë gjëra kështu që nuk do nxitoja në dhënien e gjykimeve”, ka thënë Rama në Davos.

Të ngjashme