Berisha refuzon të jetë zëvendësues i portierit serb, Torino e përjashton

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Portieri serb, Vanja Milinkoviq-Saviq, këtë sezon është i preferuari i trajnerit Ivan Juriq. Kjo ka bërë që portieri kosovar, Etrit Berisha, kohëve të fundit të përfundojë në bankën rezervë.

Por, përfaqësuesi shqiptar nuk e ka pranuar këtë rol dhe me këtë rast është përjashtuar nga ekipi. Prishtinasi po ushtron i vetëm dhe përkundër dëshirës, nuk mundi të gjente angazhim diku tjetër gjatë janarit, pavarësisht se u përmend Galatasaray si opsion.

E trajneri Ivan Juriq, i cili në edicionin e kaluar i besoi pa asnjë dyshim Etrit Berishës, tash ia ka kthyer shpinën atij.

“Në sezonin e kaluar, Berisha e ka dhënë një kontribut të madh, por tash po has në vështirësi për ta pranuar këtë situatë. Ai stërvitej keq dhe kjo është një gjë e dëmshme. Kush nuk ushtron mirë dhe si duhet, do të qëndrojë jashtë ekipit. Preferoj më shumë që me ekipin të ushtrojë Gemello, i cili do të jetë portieri i dytë”, deklaroi trajneri Juriq për mediet italiane.

Berisha nuk është ftuar që nga ndeshja e humbur nga Spezia, më 15 janar, ndërsa nuk ishte futur asnjëherë në lojë në ndeshjet paraprake deri në atë datë. Herën e fundit, Berisha kishte qenë titullar në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar kundër Romës më 20 maj. Sidoqoftë, trajneri Juriq tash e preferon më shumë portierin serb, Milinkoviq-Saviq, shkruan “Gazeta Express”.

Gjatë verës, ish-portieri i Lazios dhe Atalantës do të largohet gjithsesi nga Torino, ku luan edhe futbollisti tjetër kosovar, Mërgim Vojvoda.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme