Vetëm një natë më parë, ai ndali futbollistin më në formë në Serie A nga pika e 11-metërshit, Dybalan, ndërsa ditën e sotme Etrit Berisha mbërriti në Tiranë për grumbullimin me kombëtaren për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italinë.
Portieri tregon në një intervistë për Top Channel momentet e 11-metërshit të pritur në ndeshjen Atalanta-Juventus, të mbyllur 2-2, ndërsa flet edhe për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares.
TCH: Etrit, vjen nga një paraqitje shumë e mirë ndaj Juventusit, mos ndoshta të kanë marrë inat tifozët bardhezi?
Etrit Berisha: Nuk besoj, janë pjesë e lojës. Mbrëmë ne bëmë një ndeshje të mirë. Më vjen mirë që pritja e penalltisë ndaj Dybala ishte deçizive dhe shpresojmë të vazhdojmë përpara.
TCH: Çfarë mendove në momentet kur ishe përballë Dybala?
Etrit Berisha: Isha shumë i qetë. Para ndeshjes ne i studiojmë të gjithë lojtarët, ndërsa u mundova të isha në gatishmëri maksimale dhe të shfrytëzoja në maksimum intuitën time.
TCH: E kishe studiuar se si godet?
Etrit Berisha: Normalisht. Ai priti që unë të hidhem në një krah dhe të godiste në sekondën e fundit, por unë qëndrova i pa lëvizur dhe më pas zgjodha krahun e duhur.
TCH: Tashmë, Kombëtarja do të jetë përballë Spanjës dhe Italisë dhe sërish një pjesë të madhe të punës do ta kesh t’i mbi supe…
Etrit Berisha: Ndaj Spanjës do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë për ne, por do të mundohemi të mobilizohemi dhe ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje. Shpresojmë të marrim një rezultat sa më të mirë.
TCH: Po mendoni dhe për ndeshjen ndaj Italisë apo është Spanja përpara?
Etrit Berisha: Aktualisht duhet të përqendrohemi vetëm për Spanjën, ndërsa më pas do të analizojmë dhe përgatisim Italinë.
TCH: Me Spanjën kemi mungesa në repartin e mbrojtjes, a të bën ky fakt që të jesh më në tension?
Etrit Berisha: E kemi diskutuar këtë edhe me disa lojtarë të Kombëtares, por fatmirësisht është rikthyer edhe Gjimshiti, i cili ka zhvilluar së fundmi një ndeshje jashtëzakonisht të mirë. Gjithashtu është edhe Ajeti dhe do të mundohemi të konsolidohemi sa më mirë.