Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në një prononcim për Ekonomia Online vlerëson se Fondi i Sigurisë është i rëndësishëm për mbrojtjen e ushtrisë.
Berisha foli edhe për sigurinë në veri, duke shtuar se Kosova është e orientuar kah Amerika, por që duhen veprime konkrete nëse ndodh ndonjë incident që mund të cenoj sigurinë.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të kontribuojnë në Fondin për ushtri domethënë fondin e sigurisë. Mirëpo ai fond është për mbrojtjen e Kosovës, për furnizimin e ushtrisë së Kosovës. Se a ka nevojë ushtria me pas fond”.
“Po ka shumë dhe besoj se duhet të njëqindfishohet në mënyrë që të kemi kapacitet mbrojtës të mjaftueshëm për mbrojtjen e fëmijëve tonë dhe pasurisë tonë. Në zhvillimet që kanë ndodhur mund të ndodhë gjithçka. Situata tani nuk është as në dorën tonë më. Është një luftë që po ndodh atje, një agresion i tmerrshëm që po bënë Rusia ndaj Ukrainës”.
Berisha theksoi se Ukraina nuk ka nevojë për ndihmë sepse e ka mbështetjen e vendeve perëndimore.
Madje sipas tij, duhet ta ruajmë entuziazmin për vendin tonë sepse mund të rrezikohemi në çdo moment, raporton EO.
“Ne jemi në bllokun e NATO-s. Orientimi jonë është perëndimor dhe jemi me Amerikën dhe na duhet me marr veprime. Normalisht duhet ta mbrojmë edhe vendin. Unë shoh një entuziazëm të madh të qytetarëve të Kosovës për të shkuar në Ukrainë për të luftuar. Këtë entuziazëm është mirë për të ruajtur për vendin tonë sepse jemi të rrezikuar për vete”.
“Ukraina e ka mbështetjen e të gjitha shteteve perëndimore po ndihmohet. Ne duhet të kemi interesim me shtuar fondin tonë dhe me mbrojt veten tonë”, tha Berisha.