Berlini ua tregon rreziqet gjermanëve që udhëtojnë në veri të Kosovës

Prishtinë | 04 Pri 2019 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Më 2 prill të vitit 2019, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka udhëzuar qytetarët britanikë që të mos udhëtojnë në veri të Mitrovicës për shkak të sigurisë dhe shkallës së lartë të krimit të organizuar në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, një udhëzim të tillë për qytetarët e vet e kishte lëshuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, më 4 janar të vitit 2019, dhe vlefshmëria e tij është deri më 4 prill të vitit 2019.

“Në veri të Kosovës (Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe veri të Mitrovicës) gjendja vazhdon të jetë e tensionuar. Megjithatë, dhuna zakonisht nuk është drejtuar ndaj të huajve, por nuk mund të përjashtohen në të ardhmen rastet e izoluara të cilat mund të cenojnë lirinë e lëvizjes. Më 16 janar të vitit 2018, politikani i njohur nga Kosova, Oliver Ivanoviq është qëlluar për vdekje në veri të Mitrovicës nga persona të panjohur”, thuhet në udhëzimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për qytetarët gjerman të cilët kanë për destinacion udhëtimi Republikën e Kosovës,

Ndër të tjera thuhet që qytetarët gjermanë të cilët ia mësyjnë Kosovës duhet të marrin informacionet e duhura për situatën para se të udhëtojnë në veri të Kosovës.

“Prandaj udhëtarët këshillohen që të marrin informacionet e duhura sa i përket situatës, përpara se të udhëtojnë në veri të Kosovës, të përgatiten me kujdes, të shoqërohen me njerëz lokalë, apo të shoqërohen nga persona të cilët e njohin terrenin në udhëtime individuale, të veprojnë me kujdes të t’iu shmangen turmave të mëdha”, vazhdon tutje njoftimi.

Siç vazhdon udhëzimi, thuhet se në pjesët tjera të Kosovës situata është e qetë dhe stabile, ndërkohë kanë kujtuar protestat e opozitës së vitit 2016.

Prandaj nga Ministria e Jashtme gjermane rekomandojnë që të shmangen turmat e mëdha në të gjitha pjesët e vendit dhe të informohen për gjendjen e sigurisë lokale.

Ndër të tjera në këtë udhëzim për qytetarët, është cekur edhe rreziku nga minat, ku thuhet se pavarësisht faktit që është vlerësuar nga UNMAAC se në Kosovë nuk ka mina, qytetarët duhet që të ndjekin shtigjet e asfaltuara për të shmangur çfarëdo rreziku.

Gjithashtu është përmendur edhe shkalla e krimit të organizuar në vend, por kanë thënë se vizitorët në Kosovë nuk kanë qenë viktimë e një aktiviteti të tillë joligjor.

Sa i përket shkallës së varfërisë, është rekomanduar që të mos udhëtojnë të vetmuar natën, dhe të jenë të vëmendshëm. Është cekur edhe numri i lartë i personave që mbajnë armë zjarri dhe është thënë që pragu për ndalimin e përdorimit të tyre është mjaft i ulët, gjithashtu ceket se nuk ka pasur asnjëherë sulme që u janë drejtuar të huajve.

Ndërkohë në Serbi kanë reaguar ashpër kundër udhëzimit të Ambasadës së Britanisë së Madhe. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq madje u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos udhëtojnë për në Britani të Madhe për shkak të situatës së paqëndrueshme politike në Britani të Madhe.

E politikani tjetër serb, Milovan Drecun, ka thënë se duke u marrë me veriun dhe krimin e organizuar në atë pjesë, është harruar plotësisht pjesa jugore, për të cilën ai pretendon se është shndërruar në “Kolumbi të Evropës”. /GazetaExpress

https://www.facebook.com/UKinKosovo/posts/1236377209854701

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme