Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se pas arritjes së Marrëveshjes në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është e qarte se Asociacioni duhet të formohet dhe se sipas saj, kjo është pika e parë e të gjitha marrëveshjeve të mëtejshme implementuese.
Për Asociacionin, ajo ka thënë se është plotësisht e qartë se do të duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015.
Sipas Bërnabiq, krijimi i Asociacionit do të jetë rezultat i punës, përpjekjeve dhe luftës së presidentit serb, Vuçiq, dekada më parë si dhe sot, raporton Tanjug.
Dje, gjatë takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq me ndërmjetësuesit e BE-së, kanë arritur të pajtohen që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që është e mundur. Megjithatë, kjo Marrëveshje nuk është nënshkruar zyrtarisht.
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, pas takimit ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.