Bërnabiq në BERZH tha se parësore për Serbinë është iniciativa e mini-shengenit

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor sot në Londër tha se rajoni ka mundësi të mëdha që duhet të shfrytëzohen më mirë.

Siç është publikuar në ueb-faqen e qeverisë serbe, Bërnabiq duke folur në mbledhjen e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në të cilën morën pjesë kryeministra të gjashtë ekonomive në rajon, theksoi se iniciativa mini-shengen dhe lidhja infrastrukturore në rajon janë projekte parësore për Serbinë.

Bërnabiq sqaroi se i ashtuquajturi mini-shengen i referohet vendosjes së katër lirive në Ballkanin Perëndimor – lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

Ajo theksoi se Serbia tashmë po punon për këtë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe shfaqi shpresë se edhe vendet e tjera do të bashkohen në iniciativë.

Siç vlerësoi, kjo iniciativë kontribuon më së miri për ta paraqitur rajonin si një treg të vetëm dhe të përbashkët dhe një vend që ofron një të ardhme të ndryshme.

Kryeministrja serbe theksoi se iniciativa e dytë e rëndësishme është lidhja infrastrukturore, duke kujtuar se Korridori 10 është përfunduar vitin e kaluar, si dhe ka vazhduar ndërtimi i autostradës deri në Malin e Zi dhe se filloi autostrada në drejtim të Sarajevës.

“Ne planifikojmë deri në fund të vitit të fillojmë me ndërtimin e ” autostradës së paqes, Nish-Prishtinë-Tiranë-Durrës, e cila me shumë gjasa do të financohet nga BERZH”, tha Bërnabiq, e cila porositi se Prishtina duhet t’i heqë taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, sepse “ne duhet të mendojmë se si ta lehtësojmë tregtinë në rajon dhe të krijojmë kushte të favorshme për biznesin.”

“Ne kemi shumë potencial dhe mendoj se avantazhi është në atë se po i çojmë vendet dhe ekonomitë në epokën e revolucionit të katërt industrial, e cila parashikon kushte specifike. Duhet të mendojmë se çfarë të bëjmë për ta rritur cilësinë e jetesës. Kjo është një mundësi për të gjithë ne”, tha Bërnabiq.

Ajo theksoi se në nivelin politik ekzistojnë disa sfida që duhet të zgjidhen, të cilat, siç tha ajo, burojnë nga fakti se perspektiva evropiane mbeti pak e humbur pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk e morën dritë jeshile për t’i filluar negociatat e pranimit në BE.

“Shpresoj se vendimi do të ndryshohet, sepse është i rëndësishëm jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë rajonin,” tha Bërnabiq, duke u bërë thirrje investitorëve të drejtohen me iniciativa private, duke e pasur parasysh, siç vlerësoi, se të nevojshme janë më shumë partneritete publiko-private.


Të ngjashme