Bernard Nikaj jep dorëheqje nga pozita e anëtarit të Grupit të Ekspertëve për Dialog

Prishtinë | 20 Gus 2021 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Katër muaj pas formimit të Grupit të Ekspertëve për këshillim të Qeverisë Kurti rreth dialogut me Serbinë, ka ardhur dorëheqja e parë. Bernard Nikaj, ish-ministër tregtisë, është larguar nga Grupi i Ekspertëve për dialogun, i cili u themelua pas zyrtarizimit të bashkëpunimit ndërmjet ekzekutivit, Ambasadës së Norvegjisë në Prishtinë dhe Grupit për Ballkan.

Bernard Nikaj, që një kohë ishte edhe ambasador i Kosovës në Bruksel, së fundmi është anëtarësuar në Partinë Demokratike si pjesë e Kryesisë së re, e cila u zgjodh në gusht.

Angazhimi politik në partinë më të madhe opozitare, e ka shtyrë Nikajn të ofrojë dorëheqjen nga këshillimi i kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

I kontaktuar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, Nikaj ka treguar se nga Grupi i Ekspertëve për dialogun është larguar para anëtarësimit në PDK.

“Unë kam dhënë dorëheqje nga grupi i ekspertëve para inkuadrimit në politikë”, ishte i shkurtër në përgjigje Nikaj.

Megjithatë në Grupin e Ekspertëve vazhdojnë të jenë ende Veton Surroi, Blerim Shala, Leon Malazogu, Robert Muharremi dhe Muhamet Mustafa.

Përkundër interesimit, Qeveria nuk ka kthyer përgjigje rreth këshillëdhënies së këtij grupi që nga zyrtarizimi i tij.

Ndërkaq, Grupi për Ballkan, që është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit me Qeverinë Kurti, ka thënë se nuk ka informacion për punën që ekspertët kanë kryer që nga angazhimi i tyre.

“Ekipi punon ngushtë me Qeverinë prej fillimit dhe ne nuk i dimë dhe nuk duam t’i dimë detajet. Ata kanë dinamikën e tyre të punës që e cakton ZKM Besnik Bislimi dhe ne si Grup për Ballkan nuk jemi të përfshirë. Për të gjitha këto pyetje, vetëm ZKM Bislmi mund të ketë përgjigje. Sipas marrëveshjes dhe projektit, Grupi për Ballkan mbështet dhe angazhon ekspertët, por ata i japin përgjegjësi përfituesit”, thuhet në përgjigjen e Drejtorit Ekzekutiv të Grupit për Ballkan, Naim Rashiti, për Reporteri.net.

Ndryshe, sipas iniciativës, ekspertët e angazhuar do të këshillojnë Qeverinë Kurti për një periudhë 3 vjeçare me synim forcimin e institucioneve të Kosovës dhe avancimit të konsolidimit të saj shtetëror.

Deri më tani në Bruksel janë mbajtur dy takime ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilat u përshkruan me përplasje ndërmjet kryeministrit kosovar dhe udhëheqësit serb.

Takime me zyrtarët evropian në Bruksel ka realizuar edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislime, me të cilët ka njoftuar se ka diskutuar për marrëveshjet e arritura deri më tanindërmjet Kosovës dhe Serbisë në 10 vitet e ekzistencës së dialogut.

Të ngjashme