Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka nderuar me çmimin “Ibrahim Rexhepi”, dy doajenët e gazetarisë Besa Çeku-Buçinca dhe Mehmet Gjata, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, tha se po i nderojnë dy personalitete që kanë dhënë kontribut me dekada në fushën e gazetarisë.
“Për dallim nga herët e kaluara, këtë vit kemi bërë diçka më ndryshe. Sonte do t’i ndajmë dy çmime të veçanta”, tha Mazreku, në ceremoninë ku merrnin pjesë dhe gazetarë të tjerë, kryesisht të fushës ekonomike.
Mazreku kujtoi një porosi që ia kishte dhënë gazetari i njohur i ekonomisë, i cili u nda nga jeta në tetor të vitit 2018.
“Më këshilloi që nëse dëshiron të kesh sukses, duhet të jesh i afërt me gazetarët”.
Ndërsa gazetarja në pension, Besa Çeku-Buçinca, u ndje e lumtur me këtë çmim. Tha se Ibrahim Rexhepi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetari.
“Jam vërtet shumë e prekur dhe e nderuar për këtë çmim të madh e që mban një emër të madh. Ibrahim Rexhepi ishte padyshim një profesionist i shkëlqyer e një personalitet i rrallë. Ibrahim Rexhepi ka lënë gjurmë në gazetarinë kosovare dhe më gjerë”, tha ajo.
Edhe Gjata ka thënë se është nderë i veçantë ta pranojë këtë çmim që mban emrin e ikonës së gazetarisë ekonomike në Kosovë, Ibrahim Rexhepit.