Skuadra pejane vazhdon ta dominojë hendbollin kosovar, tash e do edhe Kupën e Kosovës. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Ferizaj u shpall kampion i Kosovës
Besa Famgas e ka vazhduar dominimin absolut në hendbollin kosovar.
Skuadra pejane e fitoi mbrëmë titullin e shtatë rresht të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Ekipi Bardh e Kuq i fitoi të gjitha ndeshjet e këtij edicioni, duke u treguar i pa konkurrencë.
Besa në finale të “Play-Offit” e mundi Prishtinën 2-0 me ndeshje, shkruan Gazeta Express.
Në duelin e dytë final, pejanët fituan në kryeqytet me rezultat 29:25.
Ndeshjen e parë, të luajtur në Pejë, Besa e kishte fituar me rezultat shumë më bindës, 38:26.
Në gjysmëfinale, Besa e eliminoi Kastriotin, kurse Prishtina e kishte eliminuar Trepçën.
Në fundjavë do të përcaktohet skuadra fituese e Kupës së Republikës së Kosovës.
Besa Famgas dhe Prishtina i kanë pretendimet e tyre edhe në këtë garë.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, Ferizaj u shpall kampion i Kosovës pasi ishte më i mirë se Istogu në finale.
Ferizajaset e fituan lojën e parë 34:29, ndërsa ndeshjen e dytë fituan istogaset, 27:26.
Ato u shpallën kampione falë diferencës së golave.