Me ftesë të Komisioneres së BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, znj. Mariya Gabriel, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj, po qëndron në Sofje të Bullgarisë.
Gjatë vizitës atje, Ministri Beqaj para Komisioneres Gabriel ka prezantuar qasjen e përbashkët zhvillimore rajonale, me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Tarifa e romingut, domeni i Republikës së Kosovës, shkathtësitë digjitale, cloud për hulumtim dhe zhvillim, smart city, broadband dhe konektiviteti open data, ishin fokus i këtij takimi.
Ndërkaq, ideja për një Qendër Rajonale për Siguri Kibernetike u prit shumë mirë nga Komisionerja Gabriel.
Ajo gjithashtu, konfirmoi përkrahjen për Kosovën, si dhe iniciativën e tre vendeve për të pasur së bashku, si rajon, jetësimin e Agjendës Digjitale.
Vlenë të theksohet se, pas lansimit të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian, nën patronatin e Komisioneres për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, znj. Mariya Gabriel, Ministri Beqaj u angazhua fuqishëm në jetësimin e kësaj agjende, që parasheh përkrahje politike, strategjike dhe financiare prej nëntë (9) miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Për ta konfirmuar këtë përkrahje, Komisionerja Gabriel në tetor të vitit të kaluar ishte pjesë e Konferencës DIGITALKS, organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Prishtinë.