Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shef i delegacionit për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Besnik Bislimi, ka vlerësuar sot se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është shumë më afër qëndrimit të Serbisë nga perspektiva e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që zhvillohet në Bruksel.
Bislimi ka folur për herë të parë rreth draftit të propozuar për Kosovën dhe këtë ka vendosur ta bëjë në një fjalim online në Forumin e Sigurisë në Beograd, derisa për mediet e Kosovës nuk ka folur rreth këtij dokumenti asnjëherë.
Sipas medieve serbe, Bislimi tha se Kosova dëshiron të marrë një marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke nga ai dialog, ndërsa për Serbinë është e rëndësishme që ajo të mos jetë një marrëveshje përfundimtare dhe të mos përfshijë njohje reciproke.
“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, vlerësoi ai.Bislimi theksoi se të dyja palët janë pajtuar që nuk është produktive të zbulohet dokumenti në këtë moment, sepse do të “vriste shpirtin” e gjërave pozitive që duhet të sjellë dokumenti, shkruan Danas.
Ndërkohë në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, thuhet se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ‘’Belgrade Security Conference’’ të organizuar në Beograd, në tryezën e diskutimit mbi dialogun me Serbinë. Zëvendëskryeministri Bislimi, mori pjesë online në këtë konferencë, për shkak të ndalimit të vizitës së tij dhe pjesëmarrjes fizikisht në konferencën në Beograd.
Në fjalën e tij, ai shprehu keqardhjen për pamundësinë e të qënit prezent fizikisht, duke thënë se kjo nuk e zvogëloi dëshirën e tij që të jetë pjesë e këtij paneli. Zëvendëskryeministri Bislimi, foli mbi objektivin dhe qëllimin që në fillim të Qeverisë Kurti II, që në procesin e dialogut, të flitej për marrëveshjen finale, ku përmendi propozimin e përgatitur me gjashtë elemente se si ky normalizim gjithëpërfshirës do të dukej, të dorëzuar tek z. Lajcak jo vetëm kur u diskutua publikisht në takimet e 18 gushtit, por edhe gjatë çerekut të fundit të vitit 2021. Gjatë këtij procesi, ka pasur çështje të cilat ishin të bartura dhe nuk mund të shmangeshin, si çështja e energjisë dhe ajo e targave. Ka pasur interesim të fuqishëm për t’i bërë ato të rëndësishme duke i lidhur me tensione dhe çështje të tjera, ndërkohë që duhej të ishin vetëm teknikalitete. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se problemi më i madh në procesin e dialogut, është divergjenca mes pozicioneve të dy palëve, ku për Kosovën është e rëndësishme që të kemi një dokument final dhe të qendërzuar me njohjen reciproke, e për Serbinë është e kundërta.
“Sa i përket çështjes së targave, tha se kërkesa për shtyrje të afatit, rrjedh nga fushatat e mëdha të dezinformimit që Vucic i paraqiti qytetarëve, shqetësimeve kundrejt kërcënimeve të strukturave paralele ndaj qytetarëve në veri dhe gatishmërisë së shfaqur të Vucic që të krijojë tensione rreth një çështjeje bazike. Nuk ka pasur mangësi të kapaciteteve nga ana jonë, që të përmbushim kërkesat që burojnë nga procesi. Vucic ka folur dhe për dorëzim, por ky është një koncept që kriminelët e përdorin kur flasin me institucionet e qeverisë dhe ne nuk duam t’i shohim qytetarët në atë pozitë. Ne na është thënë, dhe kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë në gjetjen e një mekanizmi përmes të cilit e bëjmë tranzicionin e lehtë, në mënyrë që gatishmëria e qytetarëve në pajtim me sundimin e ligjit të rritet. Ai komentoi dhe masat e fundit rreth çështjes së targave, duke shpjeguar fazat kalimtare dhe thënë se ne shpresojmë që ky proces do të finalizohet pa incidente deri më 21 prill, datë e cila rastësisht është e njëjta me afatin e fundit për të arritur një marrëveshje të përhershme, sipas standardeve dhe praktikave të BE, e cila dështoi për shkak të mungesës së pozicionimit nga pala serbe”.
“Në përmbyllje të konferencës, zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për sukseset dhe të arriturat e Qeverisë dhe përkushtimit të vazhdueshëm në përfundimin e procesit të dialogut”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.