Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë që marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e dy qeverive të mos mbesin vetëm në letër.
Përmes një postimi në “Facebook”, Tahiri i bën thirrje mazhorancës të votojë Trustin.
Sipas tij, tërheqja e parave nga Trusti do të zbuste vështirësitë për qytetarët në nevojë, kontribut-dhënësit në këtë kohë krize.
“Mbledhja e dy qeverive përfundoi, u nënshkruan disa marrëveshje, lutemi që këto marrëveshje mos të mbesin vetëm në letër, por të kthehen në projekte konkrete”, ka shkruar Tahiri.
“Tash po i kthehemi gjendjes në vend. Situata në Kosovë, në aspektin social, kurrë nuk ka qenë më e vështirë! Çmimet janë ngritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, përderisa ndihma e shtetit është më se minimale”, shtoi ai.
“Kuvendi i Kosovës, në veçanti shumica parlamentare, e ka në dorë që nesër ta miratojë në lexim të parë Ligjin për Trustin, ligj ky i cili, sado pak do të zbuste vështirësitë për njerëzit në nevojë, kontributdhënësit në një situatë krize. Mos të filozofojmë shumë, por të veprohet me votën pro. Shpresoj që vota e mazhorancës, do të jetë pro këtij ligji”.