Beteja zgjedhore në Stamboll, përcaktuese për të ardhmen e Turqisë

Prishtinë | 30 Mar 2024 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Në Turqi mbahen të dielën mbahen zgjedhjet lokale në mbarë vendin. Partia e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan AKP po përpiqet ta rimarrë pushtetin në Stamboll, qytetin kryesor të Turqisë, që dikur ishte baza e tij. Rezultati i këtyre zgjedhjeve vendore mund të ndryshojë trajektoren e Turqisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po udhëheq fushatën e partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, të njohur si AKP, për të zgjedhur kandidatin Murat Kurum si kryebashkiak të Stambollit në zgjedhjet e së dielës.

Kurum premton ndërtimin e gjysmë milioni shtëpish të reja për të mbrojtur Stambollin nga kërcënimi i tërmeteve.

Kryebashkiaku i tanishëm, Ekrem Imamoglu nga partia kryesore opozitare Partia Popullore Republikane, CHP, po paralajmëron se rikthimi i qeverisjes së AKP-së do të nënkuptonte ndërtimin e pakontrolluar në Stamboll.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’u dhënë përgjigje problemeve të pazgjidhura të qytetit, problemeve që janë përkeqësuar”, thotë ai.

Fitorja e papritur e zotit Imamoglu në zgjedhjet e vitit 2019 i dha fund qeverisjes 30 vjeçare të partisë së Presidentit Erdogan në Stamboll. Ajo u mundësua falë një aleance të gjerë zgjedhore ndërmjet partisë pro-kurde dhe partisë nacionaliste turke.

Por kjo aleancë u shpërbë pasi pësoi disfatë ndaj Presidentit Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

“Koalicioni opozitar është i përçarë. Të gjithë kanë dalë me kandidatët e tyre… Gara është e ngushtë ose ndoshta zoti Ekrem Imamoglu ka epërsi disa pikëshe, provë e aftësisë së jashtëzakonshme të tij për të bërë fushatë dhe gabimeve diletante të Murat Kurumit”, thotë Atilla Yesilada, analist pranë “GlobalSource Partners”.

Fushata e zotit Imamoglu po transmeton video fushate për të fituar votat e kurdëve, në përpjekje për të rindërtuar aleancën e tij elektorale./VOA

Të ngjashme