Betohet anëtari i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Prokurorisë së Apelit

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Jetish Maloku, mbajti takimin e 226-të me radhë, sipas rendit të paraparë të ditës.

Në fillim të takimit të sotëm, u mbajt ceremonia e dhënies së betimit të anëtarit të ri të Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe u miratua Plani i Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2023, i cili u prezantua Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Sekretariatit të KPK-së.

Gjithashtu, Këshilli Prorkurorial miratoi me disa propozime klasifikimin e pozitave të stafit në të gjitha nivelet e administratës së sistemit prokurorial, propozim ky, i cili do të dërgohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, pas dekretimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.  

Anëtarët e KPK-së miratuan edhe Planin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës për vitin 2023 dhe Protokollin për trajnimin e detyrueshëm të prokurorëve me performancë të dobët.

Në fund të takimit, Këshilli miratoi Raportin e Komisionit për Rekrutimin e njëzet e dy prokurorëve të rinj të Shtetit, emrat e të cilëve do të dërgohen për dekretim në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Të ngjashme