Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi është betuar ditën e sotme si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përpara noteres Miranda Xhemalçe.
Një ditë pasi presidenti Ilir Meta deklaroi se nuk do të organizonte një ceremoni betimi për Vorpsin, kjo e fundit ka bërë betimin para noteres, për t’ia nisur më pas kreut të shtetit me postë.
Veç presidentit, Vorpsi i ka dërguar një kopje të deklaratës Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe një kopje Gjykatës Kushtetuese.
Në tekstin e betimit, gjyqtarja Arta Vorpsi thekson: “Unë e nënshkruara, Arta Vorpsi, në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr.132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletores Zyrtare, me vullnetin tim dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit të Kushtetueses dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetutë, betohem: Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar sot pas publikimit në media të lajmit për betimin tek noteri të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi.
Blushi shprehet se Presidenti Meta nuk ndalon askënd të betohet.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja. Presidenti Meta është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe për të Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët”, theksoi Blushi./atsh