Kushtetuesja foli, e drejta triumfoi

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 18:57 | Nga Bajram Mjeku

Pas inicimit të dhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kur në korrik të vitit 2021 dërguan në Gjykatën Kushtetuese ankimimin mbas shkarkimit arbitrar të Bordit të RTK-së nga deputetët e mazhorancës, më në fund pas dy vjetësh, sot foli Gjykata Kushtetuese. Vendimi rezultoi në favor të anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së, që do të thotë se deputetët e mazhorancës kanë bërë veprim antikushtetues!

Në kërkesën time me shkrim, të cilën më 21 qershor të vitit 2021 ia pata dërguar znj. Doarsa Kica Xhelili, kryetare e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Republikës, pata kërkuar që për shkak të ndjeshmërisë, të themelojnë komisionin hetimor parlamentar dhe të gjithë anëtarët e Bordit të intervistohen një për një, para se emrat tonë të dërgohen për shkarkim në Kuvendin e Republikës. Nga deputetët e Kuvendit jemi zgjedhur veç e veç dhe përgjegjësitë i kemi marrë veç e veç, pa paragjykuar asnjëherë gabimet apo shkeljet e dikujt tjetër.

Në planin emocional, sot ndjehem i çliruar, pasi ndjesinë e shkarkimit e kam bartur tash dy vjet. Edhe pas Vendimit të sotëm nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka përfunduar asgjë. Në fakt, ky është vetëm fillimi i fundit i një odiseade, derisa kjo barrë ka rënduar edhe mbi familjen time, e cila nuk ka mundur t’i shpëtojë bullizmit, i shprehur aq shumë në ambientin tonë brutal.

Kurdo që vendimi të bëhet i plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të kontaktoj avokatin tim për të nisur procedurën e padisë civile ndaj deputetëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal dhe deputețëve të Komisionit Parlamentar për Punë e Transfere në Kuvendin e Kosovës, të cilët si mjet rrënues përdorën numrat e arrogancën, në vend të argumenteve dhe qasjes profesionale. Janë pikërisht këta deputetë, të cilët me zell të paimagjinueshëm dhe pa zgjedhur asnjë mjet, provuan të rrënojnë integritetin personal e profesional në sy të opinionit publik, prandaj do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet ligjore, që të zbatohet drejtësia e munguar.

(Autori ka qenë anëtar i Bordit të RTK-së, të shkarkuar në mënyrë antikushtetuese)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme