Kushtetuesja merr vendim për ankesën e qytetarëve që refuzuan vaksinimin

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e Arianit Sllamnikut, organizatorit të protestave kundër vaksinimit, me arsyetimin se nuk është palë e autorizuar për të kontestuar lëndë në gjykatë.

Kushtetuesja, në një aktvendim të nxjerrë të mërkurën, e vlerësoi të pabazuar ankesën e Sllamnikut kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës “për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, të shpallura në qershor të 2020-s.Sllamniku, në ankesën e tij, ka kontestuar vendimin e qeverisë që theksonte se, mes tjerash, “se nuk mund të hyjnë në institucione, pa poseduar certifikatën e vaksinimit apo dëshmitë tjera, dhe poashtu theksojnë se qytetarët në përgjithësi kushtëzohen me vendin e tyre të punës me qëllim të marrjes së vaksinës.”

Por, ankesa është cilësuar e pavlefshme për shkak se parashtruesi, në këtë rast Arianit Sllamniku, nuk konsiderohet palë e autorizuar për të kontestuar vendimet e qeverisë.

“Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se nuk sheh ndonjë rrethanë apo arsye të vendosë ndryshe nga praktika e saj e gjyqësore në raste të ngjashme, megjithatë rikujtoi se individët kanë të drejtë të kontestojnë vetëm aktet individuale të autoriteteve publike që cenojnë të drejtat e tyre individuale dhe vetëm pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike”, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses.

“Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, kërkesa e parashtruesve të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme