Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se ka rrëzuar 754 dronë ukrainas gjatë 24 orëve të fundit, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Më herët ishte raportuar se Rusia kishte rrëzuar 50 dronë mbi rajonin veriperëndimor të Leningradit gjatë natës, sipas guvernatorit të rajonit, Alexander Drozdenko.
Shën Petersburgu ndodhet në rajonin e Leningradit, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se dronët ukrainas kanë goditur një terminal nafte në këtë qytet.
Kievi ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë natës ka kryer një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në bazën detare të Kronstadtit në Shën Petersburg, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës.
Këto zhvillime vijnë në ditën e parë të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut, i cili do të zgjasë deri më 6 qershor.
Ky forum shpesh cilësohet si “Davos-i rus”.