Costa për anëtarësimin në BE: Është e rëndësishme që Kosova t’i përmbushë të gjitha reformat

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka folur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se përmbushja e reformave të dakorduara është thelbësore për avancimin e procesit, raporton Ekonomia Online.

Costa tha se në momentin që Kosova i realizon reformat e kërkuara, nuk do të ketë pengesa nga ana e Bashkimit Evropian për anëtarësim.

“Ne kemi rënë dakord për agjendën e reformave, kemi rënë dakord në procesin e anëtarësimit evropian dhe është shumë e rëndësishme që Kosova të përmbushë, hap pas hapi, atë për të cilën tashmë jemi pajtuar. Dhe bindja ime është se, në fund të procesit, nuk do të kemi asnjë problem nga ana e Bashkimit Evropian. Por, për momentin, ajo që na nevojitet është që konsensusi i gjerë kombëtar për anëtarësimin evropian të përkthehet në veprime konkrete dhe që ne të arrijmë të ruajmë një rrugë të qartë për ta çuar përpara këtë proces drejt Kosovës”, tha Costa.

I pyetur se a do të kërkohet përgjegjësi nga Serbia për sulmin në Banjskë, Costa tha se të dy vendet duhet të fokusohen tek e ardhmja siç ka bërë vet Bashkimi Evropian pas luftës së dytë botërore.

“Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ky është një projekt i paqes. Bashkimi Evropian lindi nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore. Dhe Bashkimi Evropian lindi kur ish-ndërluftuesit, veçanërisht Gjermania dhe Franca, vendosën të tejkalojnë historinë e tyre dramatike dhe të fokusohen në një të ardhme të begatë dhe të përbashkët. Kjo është historia e Bashkimit Evropian dhe kjo është e ardhmja e Bashkimit Evropian. Pastaj, të gjithë ne kemi pasur disa probleme me fqinjët tanë në të kaluarën. Ndonjëherë probleme shumë, shumë, shumë dramatike. Por ne duhet të vendosim se çfarë duam të vlerësojmë: të ardhmen tonë të përbashkët, apo luftën tonë të kaluar kur kemi lënduar njëri-tjetrin. Ne duhet të fokusohemi tek e ardhmja. Dhe kjo që po them këtu është po ashtu ajo që po them në Beograd. Dhe nëse është e rëndësishme që BE-ja të angazhohet në këtë dialog, është thelbësore që Beogradi të angazhohet në dialog, dhe për këtë, natyrisht, të gjithë duhet të jenë në mirëbesim dhe të njohin atë që duhet njohur, por të fokusohen tek e ardhmja”, tha Costa.

Të ngjashme