Koreja e Veriut ka lëshuar rreth 10 raketa balistike me rreze të shkurtër drejt detit në lindje të vendit, ka bërë të ditur ushtria e Koresë së Jugut.
Sipas Reuters, raketat u lëshuan të enjten nga zona pranë qytetit bregdetar Wonsan dhe përshkuan rreth 250 kilometra drejt detit.
Pas lëshimit, Koreja e Jugut ka shtuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë ushtarake, ndërsa ka koordinuar veprimet me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.
Autoritetet e Koresë së Jugut i kanë dënuar lëshimet, duke i cilësuar ato si shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, Japonia ka bërë të ditur se raketat nuk duket të kenë rënë brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike.
Lëshimi i fundit vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes dy Koreve, ndërsa Pheniani ka kryer më shumë se dhjetë raste testimesh me raketa gjatë këtij viti.