Balkan Green Foundation (BGF) ka organizuar të mërkurën tryezën e diskutimit për Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë (PKEK), për të gjetur rrugën përpara deri në publikimin e dokumentit.
Në këtë tryezë pjesëmarrës ishin zyrtarët përgjegjës nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Ministria e Eknomisë (ME). Ndërsa OJQ-të, pjesë e grupit punues për hartimin e PKEK, kanë prezantuar rekomandimet e tyre, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se krahas shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova është zotuar që të arrijë dekarbonizimin deri në vitin 2050 përmes Deklaratës së Sofjes së vitit 2020.
Rinora Gojani, menaxhere e Programeve dhe Operacioneve në BGF, tha se qëllimi i kësaj tryeze është diskutimi i politikave edhe masave të propozuara për dokumentin e PKEK, si dhe diskutimi mbi procesin dhe listën finale të dokumentit.
Ajo ka theksuar se BGF ka bërë një punë intensive në punimin e dokumentit, që nga viti 2022, së bashku me Institutin për Politika Zhvillimore.
“Plani Nacional për Energji dhe Klimë ka pasur një datë fillestare të më hershme në vitin 2020-2021, mirëpo u ndërpre puna për shkak të nevojës që caqet e reja të jenë të vendosura në mënyrë që Strategjia e Energjisë të jetë e miratuar edhe që Plani të jetë në sinkron me këto caqe edhe me Strategjinë. Në vitin 2022 është bërë grupi punues në të cilin ‘Balkan Green Foundation’ edhe ‘Instituti për Politika Zhvillimore’, kanë qenë si dy organizata të shoqërisë civile që janë përzgjedhur që të marrin pjesë në grupin punues. Ka qenë një punë intensive, dokumenti e ka një draft të cilin ne nuk e kemi printuar për të parë ju, pasi është përgjegjësi e ministrisë që ata ta nxjerrin në konsultimi publik ose diskutim. Ne jemi mbledhur sot që të diskutojmë se cilat janë politikat edhe masat të cilat janë propozuar, të marrim vesh se cila është lista finale e këtyre politikave dhe masave të cilat janë në dokumentin, si dhe ku është procesi dhe hapat tutje të këtij dokumenti”, ka thënë ajo.
Zëvendësdrejtori i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave në MMPHI, Abdullah Pirçe, duke prezantuar Politikat dhe Masat Mjedisore në PKEK nga kjo ministri, tha se për këtë dokument janë përgatitur dy skenarë e që sipas tij, në asnjërin nuk është tejkaluar vlera prej 16.3 për qind e reduktimit të misioneve të gazrave, për çka edhe janë zotuar.
“Gjatë përgatitjes së këtij dokumenti janë përgatitur dy skenarë: skenari me masa ekzistuese dhe skenari me masa shtesë. Në asnjë skenar nuk është tejkaluar vlera prej 16.3 për qind të reduktimit misioneve të gazrave për të cilin jemi zotuar. Në të kundërtën me skenarin me masa ekzistuese ka një ulje prej 28 për qind të emisionit të gazrave sere, në skenarin me masa shtesë na ka dalë një reduktim prej 42 për qind më i vogël se sa e kemi paraparë në target që i kemi pasur ne negociata. Krahasuar me nivelin e synuar në vitin 2030 i tejkalojnë objektivat tonë për reduktimin e gazrave serë. Duke ditur se Kosova nuk është palë nënshkruese e konventës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, e as nuk është palë e marrëveshjes së Parisit, Strategjinë afatgjate për ndryshime klimatike është duke u përgatitur, ekziston drafti i parë. Ne prapëseprapë i kemi marr këto obligime dhe jemi munduar edhe pse nuk jemi pjesë e këtij procesi t’i përmbaheni si vendet e tjera për zvogëlimin e gazrave serë”, ka thënë ai.
Arbëresha Isufi, U.d. Udhëheqëse e Divizionit për Planifikim Strategjik dhe Bashkëpunim Rajonal në ME, po ashtu bëri prezantimin e Politikave dhe Masave Energjetike në PKEK, sa i përket kësaj ministrie, duke shpjeguar politikat dhe masat për këtë çështje.
“Procesi i hartimit të dokumentit, faktikisht struktura dhe gjithë procesi bazohet në rregulloren për qeverisje të mirë, për energji dhe klimë e cila është e Komisionit Evropian mandej është aprovuar edhe në Komunitetin e Energjisë. Dokumenti i ka 5 dimensione, gjithsej i ka 70 politika dhe masa. Dekarbonizimi i ka 22 politika dhe masa prej të cilave 12 bien në fushën e energjisë. Efiçienca e energjisë i ka 24, siguria energjetike 8 politika dhe masa, tregu i brendshëm energjetik i ka 12 politika dhe masa edhe hulumtimi i inovacionit dhe konkurushmëria i ka 4 politika dhe masa”, ka thënë ajo.
Fjolla Qorri, nga Balkan Green Foundation, ka thënë se është bërë një punë e jashtëzakonshëm në përmirësimin e legjislacionit relevant duke përfshirë këtu edhe strategjinë e energjisë, ligjin për promovimin e burimeve të ripërtritshme, ligjin për ndryshimet klimatike dhe së fundi ligjin për përformancën energjetike në ndërtesa.
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme në përmirësimin e legjislacionit relevant duke përfshirë këtu edhe strategjinë e energjisë, ligjin për promovimin e burimeve të ripërtritshme, ligjin për ndryshimet klimatike dhe së fundi ligjin për përformancën energjetike në ndërtesa. Përmes këtij punimi kemi tentuar që të reflektojmë në disa pyetje kyçe, se cilat janë hapat konkret drejt dekarbonizmit. A mundemi ne si shtet me qenë më ambicioz sa i përket caqeve dhe burimeve të ripërtritshme dhe efiçiencës së energjisë dhe e fundit a mundemi me trajtuar më mirë aspektin e drejtë të tranzicionit energjetik”,
Laura Nushi nga Instituti për Politika Zhvillimore, ka thënë se kanë dhënë disa rekomandime se si duhet të veprohet për këtë çështje.
“Një rekomandim tjetër ka qenë edhe forcimi i kapaciteteve administrative brenda vete ministrive. Një koment tjetër është kampanja vetëdijesuse dhe angazhimi, përpos masave efiçiente. Kish qenë mirë me informuar qytetarët se çfarë do të ndodh me faturat e energjisë së e tyre nëse nuk arrihet dekarbonizimi deri në vitin 2050. Një monitorim më të rreptë të kenë institucionet”, ka thënë ajo.