Biden e quan “zemërthyese” vdekjen e 500 mijë amerikanëve nga COVID-19

Prishtinë | 23 Shk 2021 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Joe Biden, e ka vlerësuar si “moment vërtet të zymtë dhe zemërthyes” vdekjen e 500 mijë personave nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Bideni ka thënë se numri i jetëve të humbura të amerikanëve shkaku i pandemisë e tejkalon bilancin e kombinuar nga Lufta e Parë dhe ajo e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Vietnamit.

Bideni ka nxitur amerikanët që t’u rezistojnë, siç ka thënë, “mpirjes në hidhërim” dhe “shndërrimit të çdo jete në të dhënë statistikore”.

Ai ka thënë se tanimë njerëzit veçse kanë humbur mjaftueshëm.

Presidenti me këtë rast shpalosi edhe tragjeditë personale që i kishte përjetuar fillimisht duke i humbur gruan dhe të bijën në një aksident trafiku, dhe më pas edhe me vdekjen e të birit nga kanceri.

Duke iu adresuar kombit, Bideni ka thënë se e di mirë që situata është e vështirë, por edhe se “për t’u kuruar, duhet kujtuar”.

Të ngjashme