Biden: Edhe palestinezët po vuajnë – Izraeli u pajtua për lejim të ndihmave në Gaza

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se edhe populli palestinez “po vuan shumë”.

Nga Tel Avivi, ai foli edhe për palestinezët që kanë humbur jetën.

Isha “i indinjuar dhe i pikëlluar” për humbjen e madhe të jetëve në Gaza pas shpërthimit në spital mbrëmë, tha ai, duke shtuar se provat për momentin tregojnë për “një raketë të lëshuar nga një grup terrorist në Gaza”.



“Populli i Gazës ka nevojë për ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim, dhe është kritike që ndihma shkon për civilët dhe jo për Hamasin”, tha Bideni, raporton BBC.

Ndër të tjera, ai tha: “Më lejoni ta them qartë: shumica dërmuese e palestinezëve nuk janë Hamas. Dhe Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez”.

“Kam kërkuar nga kabineti izraelit.. që të pajtohet me dhënien e ndihmës humanitare shpëtimtare për civilët në Gaza, bazuar në mirëkuptimin se do të ketë inspektime dhe se ndihma duhet të shkojë për civilët dhe jo për Hamasin”, thotë ai.

“Izraeli ra dakord që ndihma humanitare mund të fillojë të lëvizë nga Egjipti në Gaza”, shton ai.

“Nëse Hamasi devijon ose vjedh ndihmën”, thotë ai, “do të ketë demonstruar edhe një herë se ata nuk shqetësohen për mirëqenien e popullit palestinez”.

Bideni shton se ai po punon me partnerë në rajon, si Egjipti, për “lëvizjen e kamionëve përtej kufirit sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai njoftoi gjithashtu për 100 milion dollarë “financim të ri të ShBA-së për ndihmën humanitare si për Gazën ashtu edhe për Bregun Perëndimor”.

Të ngjashme