Biden i vendosur, ShBA do të përgjigjet nëse Rusia pushton më tej Ukrainën

Prishtinë | 03 Jan 2022 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i ShBA Joe Biden i tha të dielën presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të “përgjigjen me vendosmëri” nëse Rusia pushton më tej Ukrainën.

Thirrja erdhi disa ditë pasi Biden zhvilloi një bisedë të dytë brenda një muaji me presidentin rus Vladimir Putin mes tensioneve në kufirin e Rusisë me Ukrainën, ku Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa, shkruan Reuters.

“Presidenti Biden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e tyre do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki në një deklaratë pas thirrjes.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden dhe Zelenskiy diskutuan përgatitjet për një seri takimesh diplomatike të ardhshme për të adresuar krizën.

Përfaqësuesit nga SHBA-ja dhe Rusia do të zhvillojnë bisedime më 9-10 janar në Gjenevë, pasuar nga bisedimet e Këshillit Rusi-NATO dhe një takim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Biden ka thënë se i tha Putinit se ishte e rëndësishme që rusët të ndërmarrin hapa drejt lehtësimit të krizës përpara atyre takimeve.

Zyrtarët e Kremlinit kanë theksuar se duan garanci se çdo zgjerim i ardhshëm i NATO-s duhet të përjashtojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike. Rusët kanë kërkuar që aleanca ushtarake të heqë armët sulmuese nga vendet në rajon.

Biden shprehu mbështetjen për masat diplomatike për të lehtësuar tensionet, duke riafirmuar gjithashtu “angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme