Kandidati për president i SHBA-së, Joe Biden, kishte thënë gjatë një vizite në Kosovë në gusht të vitit 2016 se Asocacioni i Komunave serbe duhet të themelohet, si dhe kishte bërë thirrje atë kohë që të votohej edhe demarkacioni me Malin e Zi.
Biden, në kohën kur e kishte bërë vizitën ishte nënpresident i Barack Obamës ndërsa të dyja kërkesat ishin kundër qëndrimeve të subjektit të VV-së, lideri i së cilës, Albin Kurti, bëri thirrje tek shqiptaro-amerikanët që të votojnë Bidenin në zgjedhjet presidenciale.
Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, kishte porositur udhëheqësit politikë që ta vazhdojnë dialogun me Serbinë dhe ta përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe institucionet e Kosovës të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto komente ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së Joe Biden, i bëri gjatë vizitës së tij në Kosovë, në kuadër të një turneu ballkanik ku vizitoi edhe Serbinë. Në Prishtinë, Biden takoi, Presidentin e Kosovës Hashim Thaci, ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe ish-kryetarin e parlamentit Kadri Veseli. Me Presidentin e Kosovës, Biden mbajti një konferencë për media.
“SHBA-ja do të vazhdojnë që të qëndrojnë krah Kosovës, në mënyrë që vendi juaj të bëhet një demokraci me prosperitet. Dhe këtë nuk po e them vetëm sa për ta thënë. Nëse ju arrini sukses edhe rajoni do të ketë sukses. Vizioni ynë i botës është që të ketë një Evropë të plotë të lirë dhe të bashkuar. Kjo ka rëndësi për SHBA-në”, tha Joe Biden.
Biden, duke iu drejtuar udhëheqësve politikë tha se “në politikë ka vendime të vështira, por zakonisht ato janë më të suksesshmet.
Ai tha se Kosova duhet t’u përmbahet zotimeve të bëra në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë dhe këto janë kushte që duhet të përmbushen për t’u integruar në Evropë.
“Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje e madje edhe me ish-armiqtë tuaj. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë shprehur përkushtim për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel. Themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë i domosdoshëm por i zorshëm. Për këtë çështje unë fola edhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe e di që të dyja palët përballen me zëra të ndryshëm, por ju e keni përgjegjësinë t’u përmbaheni zotimeve që i keni dhënë”, tha Biden.
“Dëshiroj të nënshkruani një marrëveshje me Malin e Zi. Është një marrëveshje e drejtë dhe kjo do të ketë ndikim pozitiv në rajon. Gjithashtu edhe Asociacionin e komunave serbe. Është dashur t’i shtyni përpara disa reforma, por vendimet e vështira sjellin fryte. Dhimbjet e luftës janë ende të freskëta. Të gjitha këto vragë janë të freskëta, por Kosova duhet të ecë përpara me një të ardhme të përbashkët, ku të drejtat e qytetarëve janë të barabarta”, shtoi Biden.
Sipas Joe Biden, klasa politike dhe shoqëria kosovare duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilin ai e cilësoi si kancerin e shoqërisë.
“Korrupsioni është kancer, kjo nuk është hiperbolë. Çdo vend i cili përballet me korrupsion është pasojë e qeverisjes jo të mirë sepse nuk kanë mundur të ecin përpara. Nëse nuk e trajtoni këtë, mundësia që të ecni përpara, do të jetë e pamundshme. Shpresoj që do ta keni një Kosovë të fortë, demokratike pa korrupsion”, tha Biden.