Miliona amerikanë janë ende të pavaksinuar dhe të pambrojtur dhe si pasojë e kësaj komunitetet e tyre janë në rrezik, paralajmëroi të hënën presidenti amerikan, Joe Biden.
Në thirrjen e tij të fundit televizive për njerëzit që të vaksinohen kundër COVID-19, presidenti tha se varianti Delta i virusit, i cili është më i transmetueshëm dhe më i rrezikshëm, është përgjegjës për gjysmën e rasteve në shumë pjesë të vendit.
Dhjetë shtete amerikane po përjetojnë një rritje të rasteve të koronavirusit.
Në veçanti, shtetet Kansas dhe Misuri po raportojnë rritje dyshifrore të përqindjes së infeksioneve për shkak të variantit Delta.
Presidenti Joe Biden njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara parashikohet të arrijnë në 160 milionë amerikanë plotësisht të vaksinuar deri në fund të kësaj jave.
Për t’iu përgjigjur përhapjeve të mëtejshme të parashikuara mes të pavaksinuarve, presidenti Biden tha se qeveria federale po mobilizon ekipet ndaj valëve të COVID-19, të plotësuar me ekspertë nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe agjenci të tjera.
“Këto ekipe do të ndihmojnë shtetet me probleme të veçanta për parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen ndaj përhapjes së variantit delta mes njerëzve të pavaksinuar në komunitete me norma të ulëta vaksinimi”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.