Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se koronavirusi nuk e kontrollon më jetën e amerikanëve, por shtoi se ai “nuk është mposhtur ende” dhe bëri thirrje për vaksinim.
Biden i bëri komentet gjatë një fjalimi më 4 korrik, ditën kur SHBA-ja shënon përvjetorin e pavarësisë.
Ai e shfrytëzoi mundësinë për t’iu bërë thirrje amerikanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke thënë se “kjo është gjëja më patriotike që mund të bëhet”.
“Ne të gjithë e dimë se janë shfaqur variante të fuqishme [të koronavirusit], si varianti Delta”, tha Biden.
“Vaksinimi është mënyra se si Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë përpara varianteve”, shtoi ai.
Në SHBA, deri më tash, janë dhënë mbi 180 milionë vaksina kundër koronavirusit.
Së paku 67 për qind e të rriturve kanë marrë së paku një dozë.
Shifrat, megjithatë, nuk e përmbushin synimin e Bidenit për të vaksinuar 70 për qind të popullatës deri më 4 korrik.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.
Mbi 33 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 605,000 kanë humbur jetën.