Biden viziton vendin ku u shemb ndërtesa me 55 apartamente në Miami, ngushëllon familjet e viktimave

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka ndarë hidhërimin me familjet e viktimave dhe të pagjeturve nga shembja e kompleksit të banimit në Majami të Floridës. Prej një jave nga andej nuk është nxjerrë asnjë person i gjallë, por presidenti beson se mund të ndodhë mrekullia.

Në qytetin amerikan të Majamit rifilluan kërkimet për 145 persona që druhet se kanë mbetur nën rrënojat e një godine 12-katëshe.

Gjysma e kompleksit u shemb 8 ditë më parë afër bregdetit dhe deri tani nga gërmadhat e betonit janë nxjerrë 18 persona pa jetë.

Presidenti Biden dhe gruaja e tij takuan familjarë dhe vizituan këndin përkujtimor të ngritur nga ta për viktimat.

“Familjarët e dinë se shanset ulen me kalimin e ditëve, por minimalisht ata kërkojnë që të gjejnë trupat e të afërmve. Ata besojnë dhe i luten Zotit për një mrekulli. Ka ende mundësi që dikush të jetë ende gjallë.”

Operacionet e kërkim-shpëtimit u pezulluan përkohësisht të mërkurën për shkak të frikës se gjysma tjetër e strukturës së mbetur në këmbë mund të rrezikojë shembjen.

Autoritetet lokale po mendojnë ta rrëzojnë vetë strukturën.

55 nga 136 apartamentet e godinës 12-katëshe u shembën mëngjesin e së enjtes së shkuar pasi administratorët e saj ishin paralajmëruar se ndërtesa 40-vjeçare kishte probleme në themel.

“Shumë familje nga ato që mbijetuan më thanë se prej vitesh në rrugën përballë po ndërtohej një kompleks apartamentesh, dhe gërmimet për të e bënin pallatin e tyre të dridhej. Duhet studiuar edhe siguria e godinave ngjitur, sa është rreziku që edhe ato të shemben papritur.”

Operacionet e kërkimit rrezikohen në ditët në vijim edhe nga stuhia tropikale “Elsa”, e cila pritet të përshkojë brigjet e Floridës nga Atlantiku duke sjellë shi dhe erëra të forta në fundjavë.

Të ngjashme