Presidenti amerikan Joe Biden, në një fjalim për kombin nga Zyra Ovale të mërkurën në mbrëmje, e kualifikoi vendimin e tij për t’u larguar nga gara presidenciale 2024 si një çështje për të shpëtuar demokracinë dhe për t’ia kaluar “pishtarin një brezi të ri”.
Në një fjalim prekës që shënoi fillimin e mbylljes së kapitullit të presidencës së tij dhe gjysmë shekulli në shërbimin publik, Bideni e pranoi se bashkimi i partisë kërkonte sakrifikimin e ambicies personale për atë që ai e sheh si një të mirë më të madhe.
“Kam respekt për këtë zyrë. Por unë e dua vendin tim më shumë”, ka thënë presidenti, raporton CNN.
“Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por në mbrojtje të demokracisë, e cila është në rrezik, dhe e cila është më e rëndësishme se çdo titull. Marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan”, ka shtuar ai.
Ndonëse Bideni nuk e përmendi Donald Trumpin me emër, ai u përpoq të vinte një kontrast të qartë me ish-presidentin, ambicia e të cilit e bëri atë të pretendonte fitoren në zgjedhjet që nuk i fitoi katër vjet më parë.
“Gjëja më e mirë e Amerikës është se këtu mbretërit dhe diktatorët nuk sundojnë. Populli e bën. Historia është në duart tuaja, ideja e Amerikës është në duart tuaja”, është shprehur Biden.
Bideni nuk është më kandidati i supozuar demokrat që përpiqet të bindë kombin se ai ende ka qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të përballuar Trumpin. Në vend të kësaj, ai tani ka hedhur peshën e tij politike pas zëvendëspresidentes së tij, Kamala Harris, pasi u bind nga kolegët demokratë se ai është politikisht i paaftë për të kërkuar një mandat të dytë në detyrë.
“Ju e dini, në javët e fundit është bërë e qartë për mua se duhet të bashkoj partinë time në këtë përpjekje kritike. Besoj se rekordi im si president, lidershipi im në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës meritojnë të gjitha një mandat të dytë. Por asgjë, asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambicien personale. Pra, kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj pishtarin një brezi të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë”, është shprehur ai.
Gjatë fjalimit të tij që zgjati rreth 11 minuta, Biden ka përmendur arritjet e tij të mandatit të parë, ndërsa fliste po ashtu për qëllimet që ai shpreson t’i arrijë në muajt e tij të mbetur në pushtet, duke përfshirë reformën në Gjykatën e Lartë dhe dhënies fund të luftës në Gaza.