Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nisur udhëtimin e parë zyrtar jashtë vendit me një paralajmërim ndaj Rusisë, duke thënë se ky vend përballet me pasoja të forta dhe kuptimplota, nëse përfshihet në aktivitete të dëmshme.
“Ne nuk po kërkojmë konflikt me Rusinë. Duam raport të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, por kam qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen në mënyrë të fortë dhe kuptimplote, nëse qeveria ruse përfshihet në aktivitete të dëmshme”, deklaroi Joe Biden.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë shkeli në tokën britanike të mërkurën. Ai e bëri të qartë qëllimin e vet për forcimin e lidhjeve me aleatët e Shteteve të Bashkuara, të cilat ishin tensionuar gjatë pushtetit të paraardhësit Trump.
Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti amerikan do të takohet me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe Mbretëreshën Elizabetë si dhe do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Grupit G7, shkruan BBC.
Më pas, ai do të marrë pjesë në samitin e NATO-s dhe pritet të takohet edhe me udhëheqësit e BE-së. Në fund të udhëtimit zyrtar, Bideni do të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.
Shtëpia e Bardhë ka dhënë shenja se presidenti synon të hapë një varg temash me Putinin, përfshirë kontrollin e armëve, ndryshimet klimatike, aktivitetin ushtarak rus afër Ukrainës, sulmet kibernetike dhe burgosjen e opozitarit rus, Aleksei Navalny.