Tre aleatët kryesorë aziatikë – kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti jug-korean, Moon Jae-in, dhe kryeministri australian, Scott Morrison – u janë bashkuar liderëve të botës në njohjen e fitores së Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit kundrejt presidentit Donald Trump, i cili deri tani ka refuzuar ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve
Në thirrjet e tyre të para telefonike pas zgjedhjes së Joe Bidenit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, liderët e Japonisë, Koresë Jugore dhe Australisë kanë folur për planet e tyre për vënien e marrëdhënieve të ngushta me presidentin e zgjedhur për zgjidhjen e çështjeve sfiduese, përfshirë ndryshimin klimatik dhe sigurinë rajonale.
Tre aleatët kryesorë aziatikë – kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti jug-korean, Moon Jae-in, dhe kryeministri australian, Scott Morrison – u janë bashkuar liderëve të botës në njohjen e fitores së Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit kundrejt presidentit Donald Trump, i cili deri tani ka refuzuar ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve.
Fitorja e projektuar e Bidenit vjen në kohën kur është ngritur qasja ushtarake dhe ekonomike agresive e Kinës në rajonin aziatik dhe pas disa vitesh me marrëdhënie të trazuara ndërmjet aleatëve aziatikë dhe Shteteve të Bashkuara në kohën e Trumpit lidhur me çështje tregtare, mjedisore dhe të mbrojtjes.
Të gjitha palët kanë shprehur vendosmërinë e tyre për t’i fuqizuar marrëdhëniet, si dhe për t’i sfiduar çështjet botërore, si pandemia e koronavirusit dhe ndryshimi klimatik, ka bërë të ditur zyra e Bidenit.
Suga i Japonisë ka thënë se ka folur në telefon me Bidenin dhe ka konfirmuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe.
“Presidenti i zgjedhur ka thënë se pret që të fuqizohen marrëdhëniet e aleancës SHBA-Japoni dhe të bashkëpunojë për qëllimin për një Paqësor Indian të lirë dhe të hapur”, ka deklaruar Suga para gazetarëve në komente të ndara të bëra gjatë paraqitjes në konferencë të kryeministrit japonez.
“Presidenti Moon ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë për zhvillimin e mëtejshëm të aleancës dypalëshe dhe denuklearizimin e paqen në Gadishullin Korean”, është njoftuar nga zyra e presidentit të Koresë Jugore. “Presidenti i zgjedhur Biden ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë për ta zgjidhur çështjen bërthamore të Koresë Veriore”.
Bideni kishte folur më parë me liderët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Francës, por Kina dhe Rusia deri tani janë rezervuar prej urimeve dhe nuk kanë folur me presidentin e zgjedhur.
Duke folur me liderin e Koresë Jugore, Bideni e ka siguruar për zotimin amerikan për ta mbrojtur Korenë Jugore, duke spikatur se aleati aziatik është shtyllë e sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Paqësorit Indian.
Biden do të vazhdojë me formimin e ekipit qeverisës, duke injoruar Donald Trumpin që nuk dëshiron ta pranojë humbjen e zgjedhjeve. Të enjten Bideni ka emëruar shef të kabinetit këshilltarin e tij të kamotshëm Ron Klain.
Ani pse ekipi i demokratit ka heshtur për çështjen e emërimeve, të enjten është raportuar se në politikën e jashtme, Anthony Blinken, diplomat i rryer, shihet si zgjidhje për postin e sekretarit të shtetit ose atë të këshilltarit për Siguri Kombëtare.
Kushdo që emërohet për sekretar të thesarit do të duhet të përballet me recesionin ekonomik dhe papunësinë. Ndërkaq, Klain pritet të ketë rolin kryesor në përgjigjen e administratës së Bidenit ndaj përhapjes së madhe të pandemisë së koronavirusit. Ai njihet si zyrtar me përvojë, që ka shërbyer asistent i zëvendëspresidentit Al Gore në administratën e Bill Clintonit.