Presidenti i porsazgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten do të nënshkruajë urdhra ekzekutivë për t’i ndihmuar familjet amerikane që po përballen me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Urdhri i parë ka të bëjë me luftimin e pasigurisë rreth ushqimit, duke i zgjeruar programet ushqyese për familjet me të ardhura të ulëta, shkruan The Guardian.
Urdhri i dytë ka për qëllim që të shtohen masat mbrojtëse për punëtorët federalë duke i kthyer në fuqi disa të drejta kolektive dhe duke e promovuar pagën minimale federale prej 15 dollarësh në orë. Për ta arritur këtë, Bideni do t’i udhëzojë agjencitë që t’i rishikojnë listat e punëtorëve që paguhen më pak se 15 dollarë në orë dhe që të zhvillojnë rekomandime për ngritjen e pagave të tyre.
“Populli amerikan nuk mund të presë. Shumë kanë nevojë për ndihmë dhe ne jemi të përkushtuar që të bëjmë gjithçka që mundemi për të ofruar ndihmë sa më shpejt që është e mundshme”, tha Brian Deese, këshilltar i lartë për ekonomi i presidentit Biden.
Urdhrat ekzekutivë do të nënshkruhen një ditë pasi një raport i Departamentit të Punës tregoi se shkalla e papunësisë mbetet në nivel historikisht të lartë. Javën e kaluar, 900.000 amerikanë aplikuan për beneficionet që u ofrohen njerëzve të papunë.