Bideni pas takimit me Merkelin: Jemi të bashkuar kundër agresionit rus

Prishtinë | 16 Kor 2021 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus, tha presidenti amerikan, Joe Biden, përderisa e priti në takimin lamtumirës në Uashington kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se e ka ngritur shqetësimin e tij para zonjës Merkel rreth gazsjellësit që e lidh Gjermaninë me Rusinë, por se ata u pajtuan që Moska nuk mund të lejohet që ta përdorë energjinë si armë.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se dy vendet aleate gjithashtu i kundërshtojnë veprimet anti-demokratike nga Kina, shkruan BBC.

“Ne qëndrojmë bashkë dhe do të vazhdojmë që të qëndrojmë bashkë për t’i mbrojtur aleatët tanë të krahut lindor në NATO kundër agresionit rus”, tha Joe Biden në konferencën e përbashkët për gazetarë me zonjën Merkel.

“Ne do të qëndrojmë për parime demokratike dhe të drejtat e njeriut, kur e shohim Kinën apo ndonjë shtet tjetër që punon për t’i minuar shoqëritë e lira dhe të hapura”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kancelarja gjermane shprehu keqardhje për dhjetëra viktimat e shkaktuara nga vërshimet në vendin e saj.

Ndryshe, ajo kishte raporte të ftohta me paraardhësin e Bidenit, Donald Trump, dhe tensione herë pas here edhe me dy ish-presidentët e mëhershëm amerikanë, George Bush dhe Barack Obama.

Të ngjashme