Media të lidhura me lëvizjen Houthi në Jemen bëjnë të ditur se të paktën 33 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulme ajrore të kryera nga Arabia Saudite,, ka raportuar BBC.
Nuk ka pasur asnjë koment nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht.
Pamje të drejtpërdrejta në “Al Masirah” – një stacion televiziv i drejtuar nga Houthi-t – shfaqin ekipe shpëtimi duke nxjerrë trupa nga rrënojat e disa ndërtesave në al-Shariyah, një qytezë në lindje të kryeqytetit Sanaa.
Mes trupave të nxjerrë nga rrënojat shihen edhe fëmijë të vegjël.
Stacioni televiziv ka shfaqur gjithashtu një numër personash të plagosur, të cilët po transportoheshin drejt spitalit mbi barela.
Agjencia e lajmeve “Saba”, e cila gjithashtu drejtohet nga Houthi-t, njoftoi se sulmi u krye nga Arabia Saudite të shtunën. Ajo shtoi se 39 persona kanë mbetur të plagosur.
Arabia Saudite ka udhëhequr një koalicion që lufton kundër Houthi-ve prej më shumë se një dekade, në mbështetje të qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht.
Lufta në Jemen kishte qenë në një gjendje qetësie për disa vite, por u ndez sërish si pasojë e konfliktit që përfshin Iranin.