Qarkullimi i trenave në Kosovë pritet të pësojë ndërprerje të hënën, më 9 nëntor, si pasojë e grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.
Ndërmarrja Publike Trainkos ka njoftuar se treni me numër 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do ta ndërpresë qarkullimin në Fushë Kosovë.
Kjo pasi Infrakos, menaxheri i infrastrukturës hekurudhore, pritet të ndalojë ofrimin e shërbimeve në orën 08:00.
Sipas njoftimit të Trainkos-it, pas këtij treni, të gjithë trenat e tjerë do të ndalojnë qarkullimin deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin e shërbimeve infrastrukturore.
Trainkos ka kërkuar mirëkuptimin e udhëtarëve, duke theksuar se situata është jashtë mundësive të saj operative, ndërsa ka bërë të ditur se për çdo ndryshim të ri do të njoftojë me kohë.
“NJOFTIM PËR UDHËTARËT
Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. njofton udhëtarët se, bazuar në njoftimet për grevë të organizatave sindikale të Infrakos (menaxheri i infrastrukturës), më 9 nëntor 2026 mund të ketë ndryshime në qarkullimin e trenave:
• Treni nr. 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do të ndërpresë qarkullimin në Fushë Kosovë, pasi në orën 08:00 Infrakos ndalon ofrimin e shërbimeve ndaj nesh si klient i tyre.
• Pas këtij treni, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore, të gjithë trenat e tjerë do të pushojnë së qarkulluari deri në normalizimin e situatës.
Trainkos Sh.A. kërkon mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve për këtë situatë të krijuar jashtë mundësive tona operative dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për rikthimin e shërbimeve të transportit hekurudhor sa më parë që të krijohen kushtet. Për çdo ndryshim tjetër do t’ju njoftojmë me kohë.”, thuhet në njoftim.