Nxirret nga liqeni i Ujmanit automjeti që ishte fundosur në tetor të vitit të kaluar

Prishtinë | 08 Nën 2026 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, ka arritur ta nxjerrë nga liqeni i Ujmanit një automjet që ishte fundosur në rrethana të paqarta.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar të dielën, më 8 nëntor 2026, në bashkëpunim me Njësinë e Kërkim-Shpëtimit, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe Klubin e Zhytjes “Trepça”.

Operacioni ka nisur rreth orës 10:00, ndërsa automjeti është identifikuar dhe është nxjerrë nga liqeni rreth orës 12:40.

Policia ka bërë të ditur se aksioni është mundësuar pas uljes së nivelit të ujit në liqen, ndërsa njëkohësisht ka shërbyer edhe si trajnim për pjesëtarët e Policisë dhe institucioneve të tjera të përfshira.

Rasti ishte raportuar më 14 tetor 2025 nga pronari i automjetit, i cili kishte njoftuar se vetura, të cilën e kishte parkuar jashtë rrugës pranë liqenit të Ujmanit, në rrethana të paqarta kishte rënë në ujë dhe ishte fundosur.

Pas nxjerrjes nga liqeni, automjeti i është dorëzuar pronarit legjitim.

Në fund, Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të qenë në shërbim të qytetarëve.

Të ngjashme