Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka thënë të enjten se sulmi mbi ndërtesën e Capitolit në Washington gjatë së mërkurës ishte njëra prej ditëve më të errëta në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një sulm ndaj demokracisë amerikane, i nxitur direkt nga presidenti Donald Trump.
Në adresimin e tij të drejtpërdrejt televiziv nga Wilmingtoni në Delaware, Bideni i quajti mbështetësit e Trumpit që u futën dhunshëm në Capitol si “terroristë të brendshëm”.
“Mos guxoni t’i thërrisni protestues, ata janë terroristë të brendshëm”, ka thënë Biden të enjten. Ndërkaq, për presidentin Trump ka thënë se ai nuk është mbi ligjin.