Bideni thotë se vrasja e Sinwarit mund t’i japë fund luftës në Gaza

Prishtinë | 18 Tet 2024 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se vrasja e udhëheqësit të Hamasit Yahya Sinëar nga trupat izraelite është një mundësi për të liruar pengjet e mbajtura nga grupi militant dhe për t’i dhënë fund luftës njëvjeçare në Gaza.

“Tani është koha për të ecur përpara. … Lëvizni drejt armëpushimit në Gaza, sigurohuni që të lëvizim në një drejtim që të jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat më të mira për të gjithë botën”, u tha Biden gazetarëve pasi arrit në Berlin, ku do të qëndrojë për një vizitë të shkurtër, raporton AP.

“Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe t’i kthejë ato pengje në shtëpi. Kjo është ajo që ne jemi gati të bëjmë”, është shprehur Biden gjatë deklarimit, pasi kishte bërë një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritje të armëpushimit dhe vrasja e një militanti të karakterizuar nga këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan si një “pengesë e madhe për paqen” mund t’u japë kah të ri bisedimeve për armëpushim, të cilat nuk kanë arritur të japin një zgjidhje prej muajsh pavarësisht shenjave të herëpashershme të përparimit.

Vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, nga forcat izraelite, është një kthesë dramatike në luftën brutale njëvjeçare në Gaza. Sinwar vlerësohet se ishte arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në jug të Izraelit gjatë të cilit u vranë 1200 persona e u morën afro 250 pengje. Ai sulm ishte fillimi i luftës në Gaza e që tash është shtrirë edhe në Liban.

Të ngjashme