Një sondazh i zhvilluar nga Qendra për Hulumtimin e Opinionit në Rusi, ka bërë të ditur se besimi në presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka rënë në 32 përqind që shënon nivelin më të ulët që nga viti 2006.
Anketa paraprake nga kjo organizatë, e bërë publike në janar, tregoi se besimi i rusëve ndaj presidentit Putin ishte 33.4 përqind.
Sondazhi më i ri u zhvillua ndërmjet 25 shkurtit dhe 5 marsit, pasi presidenti Putin mbajti fjalimin vjetor drejtuar kombit.
Ky fjalim u vlerësua nga kritikët si një përpjekje nga ana e Putinit për të përmirësuar imazhin e dëmtuar ndjeshëm nga një vendim i qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension.
Në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, më 20 shkurt, Putin ka thënë se shteti i tij tani mund të investojë në burime “kolosale” në zhvillim, duke përdorur paratë “e fituara dhe jo të huazuara”.
Putin u ka premtuar rusëve kushte më të mira për jetesë “brenda vitit”.
Putin ka dominuar politikën në Rusi për dy dekada, duke shërbyer ose si kryeministër ose si president nga viti 1999.
Më 2018, Putin, 66 vjeçar është rizgjedhur në pozitën e presidentit për një tjetër mandat gjashtëvjeçar. Kritikët kanë thënë se ai arritur të krijojë monopol duke shtypur opozitën politike dhe kundërshtarët tjerë.