KESCO informon se në mesnatë ka dalë nga sistemi njësia B2 e Termocentralit Kosova B. Kjo njësi prodhon më tepër se 30 për qind të tërë prodhimit vendor prandaj çdo ndalje e paplanifikuar e saj shkakton probleme afatshkurtra në furnizim.
Vetëm dy njësi të Termocentralit Kosova A janë në operim të cilat po prodhojnë rreth 260 megavatë/orë.
“KESCO ka reaguar menjëherë dhe ka siguruar sasinë që e mbulon deficitin ndërmjet konsumit dhe prodhimit. Por, kjo sasi e energjisë elektrike do të mund të jetë në dispozicion të konsumatorëve më vonë gjatë ditës duke u bazuar në kapacitetet transmetive ndërkombëtare në dispozicion”.
Në rrethana të rregullta, kapacitetet e gatshme qartësohen pas katër orësh. Në këto rrethana, për një kohë të shkurtër konsumatorët mund të kenë reduktime minimale të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e KESCO-së.
KESCO i siguron të gjithë se duke i marrë parasysh rrethanat, ndërmerr gjithnjë të gjitha masat që të furnizojë qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme me energji elektrike.