Instituti GAP ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “A kemi shkolla të tepërta? Nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare”, raporton Ekonomia Online.
Bekim Salihu, hulumtues i lartë nga GAP, tha se në raport përfshihet vendimi i komunës së Kamenicës për ristrukturimin e shkollave, e që sipas tij, nxitur debate të mëdha në publik dhe gjithandej.
“Komuna e Kamenicës për vendimin e mbylljes së disa shkollave ka ngritur shqetësim të madh duke krijuar kështu debat, efekti se a do duhet të ketë ristrukturim të shkollave dhe se kush duhet ta bëjë këtë ristrukturim të shkollave”.
“Tek udhëzimi administrativ i shuarjes së një institucioni parauniversitar është kur nuk ka nxënës mjaftueshëm atëherë mund të shuhet ai institucion, por që nuk e cek se kush duhet ta bëjë këtë shuarje”.
Tutje ai tha se krahasuar me vitin shkollor 2008-2009 në vitin shkollor 2019-2020 ka ulje të numrit të nxënësve për 26%.
“Nga 444 mijë nxënës sa kanë qenë në vitin 2009-2010 në vitin 2020 numri ka shkuar në 330 mijë apo 26%, çka do thotë se ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa personeli arsimor është rritur për 2%”.
Përderisa Shqipe Bruçi nga ministria e Arsimit tha se komuna e Kamenicës nuk është e vetmja që ka bërë mbylljen e shkollave.
“Të dhënat që u paraqitën janë reale dhe nuk janë të dhëna që ne nuk i kemi pasur, pra i disponojmë të dhënat për secilën shkollë. Në komuna të caktuara kemi rënie”.
“Nuk është hera e parë dhe komuna e vetme që ka bërë mbylljen e shkollave, 332 paralelet e ndara ndërsa tash kemi 309. Sa i përket stafit është problem që me bë zvogëlimin e stafit”, tha ajo.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka uruar që shumë shpejt të përfundojë dialogu me Serbinë, duke shtuar se po humb fokusi për temat e tjera.
“Uroj ta kryejmë dialogun me Serbinë dhe të fokusohemi pak më shumë tek çështja e arsimit që nuk po i kushtohet rëndësi sa duhet. Sa i përket kësaj fushe ka problematika të shumta, sidomos me vendimin e kësaj komune që të mbyllen disa shkolla si pasojë e numrit të vogël të nxënësve”
“…Fokusi është sidomos me ndryshimin e zvogëlimit të numrit të nxënësve ku pagat shkojnë te mësimdhënës më shumë çka do thotë se ka zvogëlim të buxhetit dhe ka ndikuar këtu”.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se ata nuk kanë ndërruar qëndrim që komuna vendos vet për reformat në secilin sektorë, raporton EO.
“Nga ajo që është diskutuar këtu mund të them që qasja e Avokatit të Popullit nuk ndryshon, sado që kërkohet me ndërmarrë masa në këtë drejtim”.
“Tema e parë që jam ballafaquar ka qenë pikërisht kjo temë e mbylljes së shkollave dhe përgjigja është dhënë nga ne ku komuna është kompetente dhe vendos për brenda saj edhe për reformat e arsimit”, tha Qelaj.