Bie numri i rasteve të vdekjeve dhe atyre të të infektuarve me Covid-19 në ShBA në nivelin më të ulët në 11 muaj

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara po shtojnë më pak se 30,000 raste në ditë për herë të parë që nga qershori i vitit të kaluar, dhe shifrat e vdekjeve janë më të ulëta në krahasim me ato që kanë qenë që prej verës së kaluar.

Në pjesën më të madhe të vendit, situata me virus po përmirësohet, përderisa rreth 50 përqind e amerikanëve kanë marrë të paktën një vaksinë.

“Unë mendoj se deri në qershor, ne ndoshta do të jemi në një infeksion për njëqind mijë njerëz në ditë, që është një nivel shumë i ulët,” tha Dr. Scott Gottlieb, ish-kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, shkruan New York Times, transmeton KlanKosova.tv.

Ndërkaq sipas doktorit amerikan, Eric Topol, numri i pacientëve të shtrirë në spital ka rënë në pikën më të ulët gjatë 11 muajve të fundit.

Në Michigan, shtetin që raportoi një nga valët më të mëdha në pranverë, gjendja me COVID-19 ka filluar të stabilizohet. Rreth një mijë e 400 raste u identifikuan të dielën, krahasuar me rreth shtatë mijë e 800 raste në ditë në mes të prillit.

Shtetet e Bashkuara po raportojnë rreth 25 mijë e 700 raste të koronavirusit çdo ditë, një rënie prej 39 përqind nga dy javët e mëparshme.

Ndonëse rastet janë ulur, shkencëtarja e gjenomikës në Universitetin e Kalifornisë, Stacia Wyman, tha se amerikanët duhet të mbeten të shqetësuar për sa kohë që virusi vazhdon të përhapet dhe të evoluojë në pjesë të botës që nuk kanë vaksina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme