Në krahasim mes vitit 2019 dhe atij që sapo lamë pas, ka pasur rënie të numrit të të burgosurve nëpër Qendrat Korrektuese në Kosovë. Sipas Shërbimit Korrektues, në vitin 2020 numri i të burgosurve ka qenë për rreth 300 më i ulët.
Në një përgjigje për KOHËN, Shërbimi Korrektues ka thënë se që nga fillimi i pandemisë me Covid-19 në vend, në muajin mars të 2020-s, në burgje u infektuan 39 të burgosur.
“Gjatë pandemisë është vërejte dukshëm rënia e numrit të të burgosurve. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me vitin e kaluar, gjatë kësaj kohe numri është me i vogël për rreth 300 të burgosur. Nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë infektuar 39 të burgosur”, ka theksuar SHKK.
Të vetmet qendra korrektuese të cilat nuk u prekën nga koronavirusi, janë ajo për gra në Lipjan dhe Qendra Edukuese Korrektues në Lipjan.
“Të infektuarit kanë qenë nga Qendra Korrektuese në Lipjan, Qendra e Paraburgimit Gjilan, Burgu i Sigurisë së Lartë, Qendra e Paraburgimit Mitrovicë, Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, Qendra e Paraburgimit Prizren, Qendra e Paraburgimit Pejë, Qendra Korrektuese në Smrekonicë dhe nga Qendra Korrektuese në Dubravë. Ndërkaq, Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan dhe Qendra Edukuese Korrektues në Lipjan, nuk kanë pasur asnjë të infektuar deri më tash”, ka bërë të ditur SHKK-ja.
Ndërkaq, përveç të burgosurve, në këto qendra janë infektuar edhe zyrtarë korrektues, ku “gjatë kësaj periudhe janë infektuar 176 zyrtarë”.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dy të burgosur nuk i kanë mbijetuar Covid-19. SHKK-ja thotë se të dytë kishin sëmundje të rënda dhe se vetëm pas vdekjes ata kishin rezultuar pozitivë.
Që nga 11 janari, SHKK-ja ka ndaluar përkohësisht vikendet për të dënuarit, ndërsa si masë lehtësuese, ka vazhduar lejimin e vizitave të lira dhe vizitave familjare. Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Shërbimi Korrektues ka vendosur edhe disa kushte gjatë vizitave.
“Për vizitat e lira, me qëllim të mbrojtjes nga pandemia Covid-19, kërkohet që për aprovimin e vizitës së lirë, vizitori/ja të sjellë me vete testin me rezultat negativ, i cili duhet të jetë jo më i vjetër se 72 orë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, gjatë vizitave, vizitorët dhe të burgosurit duhet të respektojnë masat anti-Covid.