Bie numri i të sëmurëve nga gripi

Prishtinë | 14 Jan 2017 | 10:58 | Nga

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  njofton se gjatë javës së parë të vitit 2017 (01-07 janar 2017), në Kosovë janë raportuar 1566 raste të gripit, që paraqet rënie prej 30.3% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar, ekziston rritje e numrit të përgjithshëm të rasteve për 52.6%.

Njoftimi i plotë i IKSHP-së:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrje edhe raportimin për gripin.
Sa i përket situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar përcjell me vëmendje ecurinë e shfaqjes eventuale të gripit në Kosovë, përmes 6 Instituteve rajonale.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të bashkëpunimit me Klinikën Infektive të SHSKUK.
Aktualisht situata epidemiologjike e gripit shënon rënie në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e befasisë ekziston. Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor përveç masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor dhe nëntor i të gjitha grupeve të rrezikut.
Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109, andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi H3N2 që po qarkullon në gjithë territorin e Evropës edhe në vendin tonë bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që ka prekur një numër të konsiderueshëm për shkak të një mutacioni të vogël gjenetik.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A H3N2 dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.
Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.
• Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,
• Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes
• Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)
• Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz
• Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina
• Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshë.
• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
• Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt
• Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool
• Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë
• Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;
Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;
Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;
Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikacionet e rënda që mund të vijnë nga gripi.
Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit
Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është Vaksinimi me vaksinën kundër gripit.
• Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.
• Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor.
• Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.
SHTOJCË:
Mbikëqyrja epidemiologjike deri në javën e parë të vitit 2017.

MBIKËQYRJA EPIDEMIOLOGJIKE E INFLUENCËS SEZONALE
(Java 01, 2017)
Situta epidemiologjike e Influencës sezonale në Kosovë, shtator-dhjetor 2016
(java 36 – 01)
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bënë mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale (ILI), SARI dhe ARI me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse. Mbikqyrja realizohet përmes hulumtimit aktiv dhe pasiv në Institucione shëndetësore dhe terren.
Krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar (824), ekziston rritje e numrit të përgjithshëm të rasteve për 52.6%.
Gjatë javës së parë (01) të vitit 2017 (01. 01. 2017 – 07. 01. 2017), në Kosovë janë raportuar 1566 (Incidenca=85,7 /100.000) raste të gripit, që paraqet rënie prej 30.3% krahasuar me javën e kaluar.
Aktiviteti i virusit është nën nivelin sezonal, gjegjësisht ende nuk është arrirtur pragu i epidemisë të sezonit të gripit.
Shpërndarja e rasteve të raportuara nga gripi sezonal (sipas javës së raportimit), për katër sezonat e fundit, 2013/2014, 2014/2015, 2015/2016, 2015/2016 dhe sezoni 2016/2017
Numri më i madh i të sëmurëve është raportuar nga komuna e Prishtinës (n=11011, I=530.7/10,000), Prizrenit 4160, I=288/10,000 , dhe Podujevës 3764 , I=422.6/10,000 .
Në raport me distribuimin e rasteve sipas grup-moshës, në periudhën java 36 – 01 (shtator – java e pare e janarit) , nga numri total i rasteve të ILI , grup-mosha më e atakuar është 15-64 vjeç (13627 raste ose 38%), 5-14 vjeç (9359 raste ose 26%), 0-4 vjeç (7395 raste ose 21%) dhe mbi 65 vjeç (5532 raste ose 15%).

MBIKËQYRJA VIRUSOLOGJIKE
Në Departamentin e Mikrobiologjisë IKSHPK, nga 3 tetori 2016 deri me 4 janar 2017 janë testuar 215 mostra ne Influenzen A dhe B. Nga ky numër, 47 mostra (21.86%) kanë rezultuar pozitive në Influenzen A dhe asnjë pozitive në Influenzën B.
Nga mostrat që kanë rezultuar pozitive ne Influenzen A, është kryer sub-tipizimi në 39 prej tyre (82.9%) dhe te gjitha kanë rezultuar si Inf. A, sub-tipi H3. Mostrat e tjera do të sub-tipizohen në ditët në vijim.
Duhet theksuar se përmes projektit të OBSH-se për transportin e mostrave të Influenzës, javën e ardhshme planifikohet dërgimi i mostrave pozitive në Infl. A nga ky sezon në Qendrën Bashkëpunuese të OBSH-së për Influenzën në Londër, për karakterizim të mëtutjshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme