Çmimet e naftës kanë rënë pasi operacioni i SHBA-së për rrëzimin e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, ka krijuar pasiguri për të ardhmen e rezervave të mëdha të naftës bruto në botë.
Nafta bruto “Brent”, referenca ndërkombëtare e naftës, ka pësuar të hënën (05.01.2026) rënie për 1.3% në 59.95 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet për “West Texas Intermediate”(WTI), referenca amerikane, kanë shënuar rënie prej 1.1% në 56.50 dollarë për fuçi, nafte, shkruan “Financial Times”.
Venezuela prodhon më pak se 1% të prodhimit global të naftës. Eksportet e kufizuara nga sanksionet e SHBA-së dhe bllokada detare ishin masat që kufizuan prodhimin venezuelas. Por vendi ka rreth 17 % të rezervave të provuara të naftës bruto në botë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë, duke i krijuar shtetit latin mundësinë që të rrisë ndjeshëm prodhimin.
Pavarësisht rënies së çmimit të naftës bruto, aksionet në “Chevron”, “ConocoPhillips” dhe “ExxonMobil” u rritën në tregtim pasi Donald Trump deklaroi se kompanitë e mëdha amerikane të naftës do të investojnë në Venezuelë. Aksionet e “Chevronit” u rritën pothuajse 9%, të “ConocoPhillips” për 8% dhe të “ExxonMobil” për 4%. “Chevron” tashmë operon në Venezuelë bazuar në një licencë të veçantë nga administrata Trump.
Tregtarët tani duhet të vlerësojnë se cili do të jetë ndikimi i ndërhyrjes së SHBA-së në tregun e naftës, në kohën kur analistët paralajmërojnë tepricë të afërt të naftës bruto.
Amrita Sen, themeluese e konsulencës “Energy Aspects”, ka thënë për “Financial Times” se mbizotëron supozimi se ndërhyrja e SHBA-së do të ulë çmimet, derisa tregjet presin që fuqia prodhuese shtesë e Venezuelës të kthehet përfundimisht në treg. “Njerëzit do të supozojnë se do të ketë shumë më tepër naftë në planin afatmesëm”, ka deklaruar ajo.
Saul Kavonic, analist në MST Financial, ka theksuar se tregtarët janë lodhur nga “konsideratat e rrezikut gjeopolitik që nuk përkthehen në ndërprerje reale të furnizimit”.
Shumica e analistëve presin që çmimet e naftës të vazhdojnë të bien në fillimvit pas rënies prej 20% më 2025 në nivelin aktual të naftës së papërpunuar “Brent” pak mbi 60 dollarë për fuçi. “Tregu është po aq në rënie sa ka qenë të paktën qe një dekadë”, ka theksuar Sen, duke përmendur vlerën afatshkurtër rekord në naftën e papërpunuar “Brent” dhe vlerën historikisht të ulët të çmimit referues amerikan WTI.
Dhe derisa mund të ketë më shumë naftë nga Venezuela në planin afatmesëm, nuk ka gjasa të ketë rritje të konsiderueshme në planin afatshkurtër, ka shtuar ajo. “Eksportet tashmë janë përgjysmuar dhe bllokada dhe sanksionet mbeten në fuqi, kështu që keni një situatë ku asgjë nuk ka ndryshuar, nuk ka naftë shtesë”.