Bashkësia Islame përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar ndaj dëmtimeve të varrezave myslimane në Prishtinë.
BIK-u është shprehur se atakimi i varrezave është akt i shëmtuar dhe veprim i papranueshëm pavarësisht nga kush është kryer.
Reagimi i plotë:
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me shqetësim ka marr lajmin për dëmtimin dhe vandalizmin e varrezave myslimane në Prishtinë. Sipas informatave që disponojmë ne më 6 gusht 2019, persona të panjohur kanë vandalizuar 11 varre me ç’rast kanë dëmtuar gurët mbivarror.
Atakimi i varrezave përveç që është vepër e ndaluar me parimet fetare është akt i shëmtuar dhe veprim i papranueshëm pavarësisht nga kush është kryer. Kryesia e BI të Kosovës kërkon nga organet kompetente që sa parë të zbulojnë aktorët e këtij akti vandal dhe të njëjtit të dalin para drejtësisë. Po ashtu kërkojmë nga organet kompetente që menaxhojnë varrezat që të marrin masat e duhura që akte të tilla mos të përsëriten në të ardhmen.